Ambasadori britanik: Grenelli ka sjellë energji të re, presim heqjen e plotë të taksës
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, ka thënë se Kosova duhet t’i rikthehet tryezës së bisedimeve me Serbinë.
Abbotti ka theksuar se propozimi për heqjen e pjesshme të taksës nga qeveria Kurti është hap i mirë, por presin që të ndodhë heqja e plotë e tarifës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
Në këtë kontekst, ambasadori Abbott, ka thënë se përfshirja e ambasadorit Richard Grenell në procesin e dialogut Kosovë-Serbi nënkupton se ShBA-të janë të interesuara që ky proces të përparojë.
“Ne mirëpresim nismën e ambasadorit Grenell për të përmirësuar lidhjet e transportit në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ka sjellë një energji të re në perspektivën për marrëdhënie më të mira në mes Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner të afërt të Kosovës, janë të interesuara të shohin se si do të përparojë dialogu. Është e qartë se varet nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të vendosin se kush do të përfshihet në proces”, ka thënë Abbotti për “Express”.