
Ambasadori britanik: Koha për veprim, Kosova duhet të formojë një qeveri stabile sa më shpejt të jetë e mundur
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka lavdëruar zgjedhjet e fundit në Kosovë, duke theksuar se ato kanë kaluar në mënyrë paqësore dhe demokratike. Ai e ka cilësuar këtë si një arritje të madhe për Kosovën dhe rajonin.
Kështu, Hargreavs ka theksuar nevojën urgjente për krijimin e një qeverie stabile dhe të fuqishme.
“Zgjedhjet kanë qenë në përgjithësi paqësore, dhe në tërësi mund ta themi me besim që përfaqëson qëndrimin e popullatës në Kosovë. Të kemi në këtë rajon zgjedhje demokratike aq lehët siç kanë kaluar është një arritje tejet e madhe që duhet ta kemi parasysh dhe ta përgëzojmë. Të gjithë në Kosovë me padurim presin për të kuptuar saktë cilat do të jenë rezultatet finale, dhe çfarë nënkupton kjo për themelimin e qeverisë në Kosovë, edhe unë jam nga këta personat që mezi pres.
Dua të them që njëra nga gjërat e rëndësishme është se Kosova është në gjendje të konstituohet një qeveri stabile sa më shpejt të jetë e mundur sepse janë kohë të vështira gjithandej Evropës dhe nuk është koha për një vend si që Kosova të jetë pa qeveri me një mandat stabil ose me një parlament i cili nuk është në gjendje të miratojë legjislacionin në mënyrë efektive. Shpresa ime kryesore është që qeveria të konstituohet në një mënyrë që ia jep këtij vendi një stabilitet për një kohë të mirë që të mund të angazhohet në sfidat ndërkombëtare me shumë sfida vendore, që janë shumë urgjente…Konsideroj që duhet të kemi një qeveri të fuqishme, stabile sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ambasadori britanik në RTV Dukagjini.