
Ambasadori britanik: Kosova do të mbetet shumetnike, s’bëhet fjalë për asociacion njëetnik
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka mirëpritur diskutimin e sotëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në hapësirat e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Abbott në “Facebook” ka theksuar se Kosova është një vend shumetnik dhe do të mbetet si i tillë dhe se nuk bëhet fjalë për një asociacion monoetnik.
“Një diskutim i mirëpritur sot nga ambasadori i ShBA-së dhe me pjesëmarrje të shkëlqyer. Përmes dialogut, Kosova është zotuar për themelimin e ASM-së dhe iu takon palëve të bien dakord për formën dhe kohën e themelimit të saj”.
“Ne inkurajojmë qeverinë të bëjë përparim. Një organ i tillë nuk është vetëm një angazhim ndërkombëtar, por gjithashtu ofron një mundësi për serbët e Kosovës që të jenë pjesë integrale e Kosovës”.
“Kosova është një vend shumetnik dhe komunat e saj do të mbeten shumetnike. Nuk bëhet fjalë për krijimin e një Asociacioni njëetnik”, ka shkruar Abbotti.