Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale

24 prill 2025 | 15:32

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as në tentativën e pestë.

E propozuara për kryetare të Kuvendit nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i ka marrë votat e nevojshme as të mërkurën.

Kjo situatë ka shqetësuar jo vetëm qytetarët në vend, por edhe ambasadat e huaja.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale.

“Më shumë se dy muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interesin kombëtar”, ka thënë diplomati britanik për “Klanin”.

Tashmë janë bërë më shumë se dy muaj prej se qytetarët dhanë besimin e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Por, vendi nuk ka as Kuvend të konstituuar, e rrjedhimisht as qeveri.

Nesër (e premte) në orën 10:00 do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.

Mbetet të shihet nëse nga 25 prilli edhe zyrtarisht do ta kemi Kuvendin funksional.

Zyrtarisht, Albulena Haxhiu mbetet ende kandidate për kryetare të legjislativit.

E partitë opozitare në deklarimet e fundit nuk duket se kanë ndryshuar qëndrim ndaj saj, duke u deklaruar kundër saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se është në interes të…