Ambasadori britanik njoftohet me rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Nicholas Abbott.
Në këtë takim, Auditori i Përgjithshëm e ka njoftuar diplomatin britanik për punën dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në veçanti është diskutuar për çështjet kryesore që kanë rezultuar nga puna audituese dhe ndikimin e rekomandimeve për të rritur llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë të institucioneve.
Osmani ka falënderuar Ambasadën Britanike që në vazhdimësi e ka përkrahur Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe është angazhuar që përmes projekteve konkrete të ngritë kapacitetet e kësaj zyre.
Ndërkaq ambasadori britanik, Nicholas Abbott, ka inkurajuar Auditorin e Përgjithshëm dhe auditorët që të vazhdojnë punën e mirë dhe të japin kontributin për përmirësimin e vazhdueshëm në menaxhimin e mirë të financave publike, rritjen e transparencës në administratë publike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
/Epoka e re/