Ambasadori britanik shpallet mik nderi i gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë
Komuna e Gjakovës është komuna e parë që është vizituar nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ku është pritur në takim nga kryetari Ardian Gjini.
Në këtë takim, ambasadori Abbott dhe kryetari Gjini kanë biseduar për mundësitë e zhvillimit të Gjakovës dhe Kosovës.
“Jam shumë i lumtur që jam sot në Gjakovë. Kjo është vizita ime e parë zyrtare në Kosovë, pas Prishtinës. Me kryetarin, biseduam për të ardhmen e Gjakovës dhe Kosovës në përgjithësi”, u shpreh ambasadori Abbott pas takimit.
Ndërsa kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se Britania e Madhe është mbështetëse e madhe e Kosovës.
“Është kënaqësi e madhe ta kemi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Gjakovë. Kemi marrëdhënie shumëvjeçare me Britaninë e Madhe, e cila ka qenë mbështetëse e madhe e Kosovës edhe në kohët më të vështira por edhe tash”, ka deklaruar Gjini.
Pas këtij takimi, në një ceremoni solemne, ambasadori Abbott është shpallur mik nderi i Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë.
/Epoka e re/