Ambasadori britanik takon kryeshefin e Telekomit të Kosovës
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka pritur në takim kryeshefin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Gent Begollin, me të cilin ka diskutuar për ecurinë e hapave të ndërmarrë për rivitalizimin e ndërmarrjeve publike, veçanërisht për rimëkëmbjen biznesore dhe teknologjike të Telekomit.
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli, ka informuar ambasadorin britanik për masat dhe strategjinë e re të kompanisë që ai drejton, në drejtim të promovimit të produkteve të reja, gjetjes së mundësive të bashkëpunimit me investitorë ndërkombëtarë si dhe avancimin e ideve kreative për të tejkaluar vështirësitë me të cilët aktualisht ballafaqohet tregu i operatorëve të komunikimeve elektronike në Kosovë.
Duke e falënderuar ambasadorin britanik, Begolli, ka theksuar nevojën e konsolidimit të sektorit ekonomik në vend, me theks të veçantë orientimin e investimeve të duhura në sektorin publik që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit.
“Përkrahjet si këto për punën që kemi nisur ta bëjmë në Telekom, përkundër sfidave që kemi dhe që na presin, përbën një motiv shtesë për të ndryshuar gjendjen aktuale në Telekom dhe për të ofruar një gamë të larmishme produktesh dhe shërbimesh për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Begolli.
Në këtë takim është theksuar se zhvillimi dhe forcimi i ndërmarrjeve të mëdha, siç është Telekomi i Kosovës, është në të njëjtën kohë edhe forcim dhe mirëqenie ekonomike dhe sociale për tërë ekonominë e Kosovës.
/Epoka e re/