Ambasadori Britanisë në Beograd: Asociacioni të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë të premten se duhet të formohet sa më parë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Fergusoni ka thënë se Asociacioni do t’i normalizonte marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne duam ta shohim atë të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne mendojmë se është një mekanizëm i rëndësishëm për t’i dhënë njëfarë besimi komunitetit serb në Kosovë rreth mënyrës se si mund të menaxhohen më mirë punët e tyre”.
“Ne mendojmë se është një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe kështu ne vazhdojmë të inkurajojmë autoritetet në Kosovë që të ecin përpara me këtë sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe i dërguari special i kryeministrit tonë Lord (Stuart) Peach ka qenë shumë i qartë për këtë”, ka thënë ai Fergusoni në një intervistë për “Tanjug”-un.
Më tutje, ambasadori britanik, ka theksuar se nuk kanë parë përparim të mjaftueshëm në marrëveshjet e fundit të arritura në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne nuk jemi një pjesë thelbësore e tij, por ne e mbështesim atë. Ne mendojmë se është me të vërtetë e rëndësishme të vazhdojmë të flasim, por, më shumë se kaq, ne mendojmë se është me të vërtetë e rëndësishme të ecim përpara me angazhimin që të dyja palët kanë bërë për të zbatuar ato. Marrëveshjet, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit që u arrit vetëm vitin e kaluar, ne nuk kemi parë ende përparim të mjaftueshëm”, ka thënë Fergusoni.