Ambasadori Dedaj flet për Tomor Morinën dhe kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij

02 gusht 2019 | 23:55

Tomor Morina, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ndaluar para disa ditësh në pikën kufitare në Bllacë.

Ndalimi i tij është bërë nga INTERPOL-i pas një flet-arresti të lëshuar nga Serbia.

Shteti serb ka kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut ku edhe është duke qëndruar në paraburgim, ish-luftëtari i UÇK-së, ekstradimin e tij në Serbi.

Një gjë e tillë është kundërshtuar ashpër nga Kosova, ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme për lajmi.net kanë thënë se një gjë e tillë është e pamundur të ndodh.

Por sot, ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq është shprehur se Maqedonia duhet ta ekstradojë Tomor Morinën në Serbi.

Në lidhje me këtë “lajmi.net”, ka kontaktuar edhe me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, i cili është shprehur se Ambasada e Kosovës në Shkup është përgjegjëse për qytetarët e vet.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është përgjegjëse për qytetarët e Kosovës kur kanë probleme nga më të ndryshmet brenda territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Një gjë e tillë i ka ndodhur ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i cili u ndalua në pikën kufitare në Bllacë, në bazë të një fletarrestim ndërkombëtar të INTERPOLit”, u shpreh Dedaj.

Dedaj është shprehur se ambasada e Kosovës në Shkup me të marrë lajmin janë interesuar për ish-ushtarin e UÇK-së, Tomor Morina dhe e kanë vizituar në paraburgim.

“Ambasada me të marrë lajmin jemi interesuar për fatin e tij. Kemi kontaktuar institucionet qeveritare të Shkupit zyrtar, avokatin si dhe kemi vizituar në paraburgim”, tha Dedaj.

Më tutje, ambasadori Dedaj tha se kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e tij dhe se kanë insistuar të mos diskutohet për ekstradimin e tij në Serbi.

“Nuk jemi ndalur për të kërkuar lirimin e tij, mbi të gjitha kemi insistuar që të mos vjen në shprehje ekstradimi i Morinës në Serbi, siç kërkojnë autoritetet e Beogradit”, tha Dedaj.

Sipas tij, Serbia tenton që të njollosë luftën e UÇK-së dhe njëkohësisht ka për qëllim nxitjen e pakënaqësive dhe dëmtimin e raporteve midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Serbia është një shtet agresiv ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, ajo synon të njollosë luftën e drejtë  e vetëmbrojtëse të UÇK-së, si alibi për gjenocidin që ka ushtuar në Kosovë. Njëkohësisht Serbia ka për qëllim të nxisë pakënaqësi dhe dëshiron dëmtimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në takimet që kemi pasur dhe ato që do t’i kemi lidhur me këtë problem, ne do të kërkojmë dhe insistojmë që sa më parë Tomor Morina të lirohet dhe të kthehet në Kosovë”, ka deklaruar Dedaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LDK-ja ka vendosur që Kuvendin e IX-të zgjedhor ta mbajë…