Ambasadori Dedaj konfirmon lirimin e Tomor Morinës
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka bërë me dije se është liruar nga paraburgimi ish-luftëtari i UÇK-së, Tomor Morina, i cili ishte ndalur nga autoritetet maqedonase sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.
Dedaj ka thënë për “Epokën e re” se Morina është duke i kryer procedurat për t’u lënë i lirë.
Me këtë rast, Dedaj ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për qasjen konstruktive dhe korrekte në raport me trajtimin e këtij rasti.
Lirimi i Morinës ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, e cila konfirmoi se ish-ushtari i UÇK-së nuk do të ekstradohet në Serbi.
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka pasur një angazhim intensiv për lirimin e Tomor Morinës.
Ai ka takuar zyrtarë të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut për lirimin e Morinës.
Dedaj së fundi e kishte vizituar ish-ushtarin e UÇK-së, Tomor Morina, në burgun e Shutkës ku po mbahej në arrest.
/Epoka e re/