Ambasadori Dedaj nderon të rënët në fshatin e tij të lindjes
Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, ka nderuar të rënët në fshatin e tij të lindjes, Guskë të Gjakovës, të cilët kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
“Aty ku pushon dhe na vrojton historia! Në vendlindjen time, i përkulur pranë përmendores së 25 djemve të fshatit tim dhe familjarëve të mijë, të rënë heroikisht për lirinë e Kosovës! Sot kur po nisem në një mision të ri në Maqedoni, po barti mbi supet e mija amanetin e tyre të lirisë, drejtësisë dhe barazisë, në Ballkanin e trazuar, i cili duhet të mbyllë plagët dhe të tejkalojnë hasmëritë e ndasitë etnike dhe fetare, për hir të shumë sakrificave dhe të së ardhmes euroatlantike, të bashkëjetesës dhe fqinjësisë, të ndërgjegjes dhe gjeneratave të reja, të cilat meritojnë paqen, lëvizjen e lirë, harmoninë dhe lumturinë!”, ka shkruar Dedaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Dedaj ka vlerësuar lartë kontributin e familjeve të dëshmorëve dhe anëtarësisë së Partisë Liberale të Kosovës (PLK) për lirinë e vendit tonë.
“Megjithatë, sot kur po përfundoj mandatin tim politik afër 30-vjeçare në Kosovë, dua t’ju kërkojë ndjesë të gjitha familjeve të dëshmorëve, familjes sime martire, miqve, anëtarësisë historike të PLK-së, të cilët bënë shumë sakrifica deri në martirizim, për Kosovën e lirë dhe evropiane! Nuk po të them lamtumirë Kosovë, sepse do shihemi serish, por me lejo të të përkulem dhe të urojë mbarsi dhe rrugëtim të qetë!”, ka shkruar Dedaj.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1422245934577039&set=a.115621675239478&type=3&theater