Ambasadori Dedaj ndërprenë pushimet, angazhohet për lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka treguar se ka ndërprerë pushimin veror për t’u angazhuar në lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i cili është arrestuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në saje të fletarrestit të Serbisë.
Postimi i plotë i tij:
Të lirohet Tomor Morina!
Ambasada e Kosovës në Shkup është e angazhuar për lirimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i arrestuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në saje të fletarrestit të Serbisë!
Ndonëse gjendem në pushim të rregullt vjetor, kam vendosur ta ndërpres pushimin, për të takuar autoritetet e Shkupit zyrtar, që të lirohet Tomor Morina, i arrestuar padrejtësisht, në saje të fletarrestit serb!
Diplomatët dhe kolegët e Ambasadës së Kosovës në Shkup kanë bërë të gjitha përpjekjet dhe angazhimet qe z. Morina sa më parë të lirohet dhe të kthehet në Kosove!