Ambasadori Delawie i jep mbështetje drejtorit të ri të policisë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, së bashku me zyrtarë të lartë të ICITAP-it, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Shefi i policisë në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin e ndërsjellët, e ka falënderuar ambasadorin amerikan për vizitën e tij dhe njëkohësisht e ka njoftuar për angazhimet e policisë dhe synimet drejt përmbushjes së detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, në të mirë të sigurisë dhe rendit në Kosovë.
Gjatë takimit Qalaj ka potencuar se policia është mirë e përgatitur dhe e angazhuar në ofrimin e sigurisë në vend dhe në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe njëkohësisht veçoi se do të vazhdohet me rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të Policisë së Kosovës.
Ndërsa, ambasadori Delawie e ka përgëzuar drejtuesin e ri të policisë për përzgjedhjen e tij në pozitën e drejtorit të përgjithshëm, duke i uruar suksese në punën e tij.
Ai ka konfirmuar mbështetjen e mëtutjeshme të Ambasadës Amerikane për këtë institucion të sigurisë, në fusha të ndryshme e në veçanti në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
/Epoka e re/