Ambasadori francez: Dialogu dhe zhvillimi i marrëveshjeve të arritura sjellin përfitime të mëdha për Kosovën

02 shkurt 2024 | 23:31

Ambasadori francez në Prishtinë, Olivier Guerot, vlerëson se Kosova ka shumë për të fituar nga dialogu me Serbinë dhe se normalizimi mes dy vendeve është i domosdoshëm.

Ai thotë se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër në kuadër të dialogut, përbëjnë një hap të madh përpara që Kosova dhe qytetarët e saj kanë shumë interes për ta zbatuar.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm sepse edhe pse koha kalon, gjeografia nuk ndryshon. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për këto dy vende, por edhe për anëtarësimin tuaj në Bashkimin evropian, të cilit Kosova synon t’i bashkohet”, deklaron Guerot.

Sipas tij, këto marrëveshje Bruksel-Ohër ofrojnë mbështetje të konsiderueshme për Kosovën dhe zhvillimin e saj socio-ekonomik.

“Populli i Kosovës dëshiron perspektivë më të mirë për veten, për fëmijët dhe kjo është pikërisht ajo që ne po ua ofrojmë”.

Ambasadori francez më tej komenton edhe draftin e propozuar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin thotë se Franca e mbështetë plotësisht.

“Franca mbështet plotësisht statutet e propozuara për Asociacionin të bëra nga BE-ja. Ky propozim është në përputhje me kornizën ligjore kosovare dhe garanton institucionet funksionale. Kosova ka marr angazhime për themelimin e këtij asociacioni që nga viti 2013 dhe është koha e fundit që të ecim përpara në bazë të këtij projekti shumë të mirë dhe me mbështetjen e partnerëve të Kosovës”, tha ai për Telegrafin.

Ai thekson se Franca dëshiron të njëjtën gjë si Kosova: një vend që funksionon dhe zhvillohet për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj. “Dhe e duam atë tani”.

Në fund, Guerot flet edhe për mundësinë e heqjes së masave sanksionuese ndaj Kosovës nga BE-ja, duke thënë se “jot ë gjitha kushtet janë përmbushur”.

“Ju referoj në deklaratën evropiane të Bratislavës më 3 qershor: jo të gjitha kushtet janë përmbushur. Është e rëndësishme që shpejt të bëhen përpjekjet e nevojshme, po mendoj në veçanti organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, në mënyrë që në raportin e ardhshëm të BE-së të shihet se janë plotësuar kushtet për heqjen e masave”, thekson ambasadori.

“Ka një dritare mundësie për t’u shfrytëzuar përpara rinovimit të institucioneve evropiane. Kjo do t’i mundësonte ekipit të ardhshëm të fokusohet në çështje të tjera të rëndësishme për Kosovën. Dinamika aktuale e zgjerimit është një mundësi për t’u shfrytëzuar”.

Sipas tij, Kosova e ka vendin e saj brenda BE-së dhe tani është koha për të bërë përpjekjet e nevojshme për ta konfirmuar atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria amerikane filloi të premten sulme ajrore ndaj dymbëdhjetë objektivave…