Ambasadori francez në Beograd: Ajo që tashmë është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet

14 korrik 2021 | 11:20

Ambasadori i Francës në Serbi, Jean-Louis Falconi, ka deklaruar se presidenti i këtij vendi, Emmanuel Macron, është i lidhur me Serbinë dhe se ai ndjek nga afër marrëdhëniet midis dy vendeve.

Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, Falconi ka thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë vazhduar të zhvillohen pas vizitës së Macronit, pavarësisht nga pandemia dhe se kompanitë franceze që operojnë në Serbi kanë rritur investimet e tyre, raporton “Kosovo Online”.

Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, diplomati francez ka thënë se një marrëveshje është e nevojshme dhe se stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor varet nga pajtimi i këtyre dy shteteve.

“Rruga evropiane gjithashtu varet nga kjo. Rruga për këtë marrëveshje kalon përmes negociatave të udhëhequra nga BE-ja në Bruksel, me mbështetjen e fortë të Francës. Ajo që është rënë dakord tashmë duhet të zbatohet me mirëbesim dhe çështjet e reja duhet të zgjidhen në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme”, ka thënë Falconi.

I pyetur në lidhje me pozicionin e Francës mbi përparimin e Serbisë në rrugën evropiane, Falconi ka thënë se reformat e nevojshme janë kërkuese, të tilla si sundimi i ligjit, por gjithashtu kyçe.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KF Dukagjini në parim ka arritur marrëveshje me sulmuesin Ahmed…