Ambasadori francez: S’po shohim progres, s’janë plotësuar kushtet për t’u hequr masat e BE-së
“Kryeministri Albin Kurti ende ka çështje të hapura me Bashkimin Europian për Veriun. Zëvendësi i tij Besnik Bislimi, gati tre javë më parë e solli një marrëveshje nga Bratisllava kur shkoi ta takojë Emisarin Miroslav Lajçak, pasi Kosova mori ndëshkimin europian, por kjo nuk i ka ndryshuar shumë gjërat.
Hapat që i ka bërë Qeveria për shtensionimin e situatës në pjesën veriore nuk po konsiderohen të mjaftueshëm, për ta përmbushur kërkesën që po e artikulojnë Kurti dhe Bislimi – heqjen e masave ose sanksioneve”.
Ambasadori i Francës Olivier Guérot ka dhënë një mesazh direkt: “Koha po kalon dhe nuk po shohim asnjë përparim”. Këtu bëhet fjalë për vonesat në largimin e policisë dhe mungesën e përgatitjet për zgjedhje.
“Nuk shohim ndonjë progres as për zgjedhjet e parakohshme, as për miratimin e akteve nënligjore konform nenit 72 të ligjit të qeverisjes lokale për zgjedhjet. Pa miratimin e nje akti nënligjor, qytetarët e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën që u jep ky ligj” thekson ambasadori.
Konstatimi se nuk ka progres ambasadorin e çon në një përfundim.
“Masat e marra nga BE janë të kthyeshme. Ato nuk u morën lehtë, por qeveria e Kosovës ende nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për heqjen e tyre”.
Pra, në bazë të përgjigjeve të përfaqësuesit diplomatik të Francës del se ka një bllokadë të re në raportet Prishtinë -Bruksel për deeskalimin në Veri.
Kurti s’është pajtuar që të largojë kryetarët nga objektet komunale atje, Guérot pohon se kërkesa europiane për këtë mbetet në fuqi.
“Zyrarët e lartë europianë përgjegjës për dialogun tashmë kanë shkuar në pushimet verore dhe mund t’i shijojnë ato gjatë gjithë gushtit”.
Guerot, ndërkaq, paralajmëron një takim Kurti – -Vuciq pritet të ndodhë në fillim, sic thotë ai, të “vitit shkollor”, Por, deri atëherë, diplomati francez këmbëngul se topi ende është në fushën e Kosovës.
“E gjithë Evropa pret përmirësim të situatës dhe veprime konkrete nga qeveria e Kosovës në këtë drejtim. Përndryshe ketë e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, thotë ai për Express.