Ambasadori gjerman kërkon që marrëveshja për energjinë të zbatohet pa vonesa
Ambasadori i Gjermanisë gnë Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar lajm të mirë marrëveshjen në mes të KEDS-it dhe Eletroseverit për energjinë elektrike në veri.
Në këtë kontekst, Rohde ka kërkuar zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Vërtet lajm i mirë. Tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm dhe pa vonesa të mëtejshme!”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.
Edhe Bashkimi Evropian e ka mirëpritur nënshkrimin kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit.
Sipas BE-së, ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015. Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, është thënë në reagimin e BE-së.
Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji, e cila ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.