Ambasadori gjerman, liderëve shtetërorë: Mos jepni data, nuk dihet kur ndodh liberalizimi
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka porositur kryeministrin Ramush Haradinaj dhe liderët e tjerë të mos nguten në lidhje me deklaratat për liberalizimin e vizave, pasi sipas tij nuk dihet se kur do të ndodhë një gjë e tillë .
“Ajo çka duamë të bëjmë për Kosovën është se duam ta anëtarësojmë në BE. Ne nuk e dimë kur do të ndodhë liberalizimi, por do të ndodhë dhe duhet të ndodhë. E di që ka shumë nxënës që shkojnë në Gjermani, që shkojnë të njihen me bashkëmoshatarë, por edhe nga Gjermania vijnë këtu”, ka thënë Heldt gjatë qëndrimit në Drenas me rastin e Ditës së Evropës, e cila zyrtarisht festohet nesër ( e enjte).
Po ashtu, ambasadori Heldt ka thënë se e gjithë Gjermania po bënë shumë që Kosova të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Me rastin e Ditës së Evropës, komuna e Drenasit ka qenë vendi ku është diskutuar për potencialin e rinisë së Kosovës drejt BE’së dhe promovimin e vlerave të BE’së.