Ambasadori gjerman priti drejtuesit e FFK-së
Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vendin tonë ka pritur sot kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretarin e Përgjithshëm, Eroll Salihu.
Sipas njoftimit të FFK-së, Heldt e ka përgëzuar Ademin për punën e mirë që ka bërë në krye të Federatës së Futbollit, teksa theksoi që Përfaqësuesja e Kosovës me paraqitjet e treguara e ka bërë atë fans të saj.
“Ambasadori gjerman inkurajoi kryetarin Ademi dhe sekretarin e Përgjithshëm Salihu që të vazhdojnë me punën e mirë dhe me avancimin e futbollit në Kosovë. Ndërkaq, Ademi e falënderoi ambasadorin Heldt për përkrahje dhe për qëndrimin e tij të drejt dhe bashkëpunues, ashtu siç janë edhe marrëdhëniet me DFB-në, ku Rainer Milkoreit është edhe ambasador nderi i Kosovës dhe përgjegjës për Kosovën në DFB”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kryetari Ademi e falënderoi edhe shtetin gjerman dhe DFB-në që mundësojnë funksionimin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe klubeve shqiptare atje, teksa përmendi edhe komunitetit tonë atje dhe talentet e shumta dhe familjet e tyre që bëjnë gjithçka për ta lartësuar emrin e Kosovës. Ademi bëri me dije poashtu se FFK-ja ka nënshkruar kontratë bashkëpunimi edhe me Unionin e Biznesit Shqiptar në Gjermani, derisa një mbështetje të vazhdueshme e ka pasur nga përfaqësuesit e FFK-së, Ruzhdi Statovci me FFSHGJ, vëllezërit Shoshi dhe Fekmi Kongjeli.
(V.Z / Epoka e re)