Ambasadori gjerman reagon pas publikimit të anketës nga UNDP-ja
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka komentuar anketën e publikuar nga UNDP në lidhje me kënaqshmërinë e qytetarëve në punën e institucioneve dhe liderëve institucionalë.
Ai ka thënë se kjo anketë duhet të lexohet nga të gjithë.
“Absolutisht duhet të lexohet, veçanërisht në situatën aktuale. Nivelet e besimit në institucionet përkatëse, ndjenja ndaj korrupsionit, rekrutimi i bazuar në merita në sektorin publik, etj flasin vetë. Statistikat flasin”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Twitter”.
Sipas anketës së publikuar nga UNDP-ja, qytetarët e Kosovës janë të kënaqur më së shumti me punën e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, në krahasim me krerët tjerë shtetërorë.
Në anketën në fjalë është thënë se mesatarisht 42.5 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e institucioneve kyçe të Kosovës, që përbën një rritje prej 24.9 pikë përqindje nga anketa e nëntorit 2019 (17.6 për qind) dhe 20.7 pikë përqindje nga anketa e majit 2019 (21.8 për qind).
Konkretisht, kënaqshmëria me punën e kryetares së Kuvendit është rritur me 51.9 pikë përqindje nga nëntori 2019, kur u regjistrua në vlerën 20.5 për qind, duke arritur në 72.4 për qind në prill 2020.
Osmanin kjo shifër e bën si më të pëlqyerën në raport me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe me presidentin Hashim Thaçi.
Kënaqshmëria me punën e kryeministrit ka pësuar rritje nga 20.7 për qind në 65.4 për qind, kurse me punën e qeverisë nga 14.4 për qind në nëntor 2019 në 60.7 për qind në prill 2020. Ndërsa, kënaqshmëria me presidentin ka rënë me 2.5 pikë përqindje (18.7 për qind) nga nëntori 2019 (21.2 për qind).
Nga ana tjetër, kënaqshmëria me punën e gjykatave dhe prokurorisë është rritur nga anketa e nëntorit 2019. Kënaqshmëria me gjykatat qëndron në 24.8 për qind, që është një rritje prej 11.2 pikë përqindje nga nëntori 2019 (13.6 për qind). Kënaqshmëria me prokurorinë u rrit nga 14.2 për qind në nëntor 2019 në 22.3 për qind në prill 2020.
Anketa e “Pulsit Publik 18” është realizuar gjatë muajit prill 2020, kësaj radhe për shkak të kushteve të jashtëzakonshme, përmes intervistave telefonike, me 1 306 qytetarë të Kosovës.
Anketa ofron një përmbledhje të perceptimeve të kosovarëve në lidhje me proceset demokratike, kushtet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin, dhe pandeminë COVID-19.