Ambasadori gjerman: S’kemi nevojë për zgjedhje të tjera, palët të dakordohen për presidentin
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është thelbësore që pas 14 shkurtit Kosova ta ketë një qeveri stabile, e cila do të punojë me përkushtim në zhvillimin e Kosovës në mënyrë që të ketë më shumë lajme të mira nga Kosova.
Në një intervistë për “Kosovapress”, ambasadori Rohde ka folur për procesin zgjedhor që po zhvillohet në Kosovë, domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të drejta, dëshirën e tij që të mos ketë kriza politike pas epilogut zgjedhor etj.
“Së shpejti ne do të kemi zgjedhjet e treta të mbajtura dhe disa qeveri të formuara brenda tre vjetësh. Shumë e nevojshme është një qeveri stabile e cila, idealisht do të çonte në fund mandatin e saj të plotë legjislativ. Gjëja e fundit që iu nevojitet njerëzve në Kosovë do të ishin edhe një palë zgjedhje më vonë këtë vit, nëse palët nuk merren vesh për çështjen e presidentit të vendit”, ka thënë ai.
Sipas diplomatit gjerman në Prishtinë është koha e fundit që qeveria e re të fillojë seriozisht që “fjalët t’i zëvendësojë me vepra” duke e luftuar korrupsionin dhe krimin në mënyrë thelbësore, për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në këtë drejtim.
“Në raport me dialogun me Serbinë, qeverisë së re i duhet një mbështetje e fuqishme parlamentare ku nevojitet të investojë kapitalin politik dhe vullnetin politik në këtë dialog të lehtësuar nga BE, sepse është e pa imagjinuar që BE të pranojë shtete të reja anëtare që nuk e njohin njëri-tjetrin”, ka th`n` ambasadori gjerman.