Ambasadori gjerman viziton Gjilanin, ofron bashkëpunim në disa projekte
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Hyseni ka bërë me dije se njëra nga temat kryesore e takimit ka qenë fusha e ambientit dhe e menaxhimit të mbeturinave.
“Njëra prej temave kryesore që kemi diskutuar është fusha e ambientit dhe e menaxhimit të mbeturinave, pasi që partner i afërt i bashkëpunimit tonë është edhe organizata gjermane GIZ. Kemi biseduar hollësisht për mundësitë e bashkëpunimit në mes të Komunës së Gjilanit dhe, potencialisht, të ndonjë qyteti të Gjermanisë, ku ne i marrim praktikat dhe të njëjtat i implementojmë në Gjilan”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se ambasadorin Rohde e ka njoftuar edhe për projektet të cilat janë duke i zhvilluar tash në Gjilan, duke filluar prej zonës ekonomike dhe agro-turizmit.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe ofrimin e gatishmërisë së bashkëpunimit, duke shtuar se mezi pret që të jenë partnerë të komunës në projekte si: menaxhimi i mbeturinave, zhvillimi turistik apo zhvillimi ekonomik.
“Për mua ishte hera e parë që e vizitoj Gjilanin. Siç na informoi dhe Kryetari për projektet në vazhdim dhe sfidat për qytetin, unë mora gjithashtu disa lajme që nuk i dija më parë. Që ju keni edhe atraksione turistike në zonën tuaj, një kala të cilën ndoshta do ta vizitojë së shpejti. Edhe zhvillimi ekonomik është shumë i rëndësishëm, veçanërisht që të rinjtë e Gjilanit të qëndrojnë këtu. Kuptova, gjithashtu, se keni plane shumë ambicioze për të krijuar hapësira urbane në qytet, gjithashtu së bashku edhe me institucionet gjermane”, ka deklaruar pas takimit ambasadori Rohde.