Ambasadori Hargreaves viziton “Comoditan”, mahnitet me fabrikën dhe numrin e grave të punësuara
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves i ka bërë një vizitë fabrikës “Comodita” në Gjakovë, kompani kjo e cila po sfidon standardet e prodhimit dhe inovacionit në Kosovë.
Ambasadori tha se ishte i mahnitur nga fabrika e mbushur me makina moderne dhe produkte që flasin për artizanatin e kamotshëm të prodhimtarisë.
Hargreaves, gjatë turit që i bëri fabrikës, u takua me aksionarin Shkëlqim Devolli me bashkëpunëtorë, ndërsa u njoftua për së afërmi edhe me linjat e prodhimit, ku çdo ndalesë tregonte përkushtimin dhe inovacionin.
“Kam qenë në dyqanet e Comoditas, por këtu kisha mundësi edhe të shoh produktet por edhe mënyrën se si prodhohen”, tha ai për Klan Kosova.
I njëjti ishte i befasuar nga numri i grave të punësuara në kompani, gjë kjo e cila, sipas tij, ndodh rrallë në Kosovë.
“Numri i grave të punësuara këtu ishte i habitshëm, marrë parasysh nivelin e punësimit të grave në Kosovë”, shtoi ai.
Teksa foli për kualitetin që pa tek produktet, ai tha se diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit me tregun anglez.
“Comodita Home” është industria në të cilën rreth 2 mijë qytetarë janë në marrëdhënie pune.