Ambasadori Hill, i zhgënjyer dhe i shqetësuar me qëndrimin e Kurtit për targat
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është i zhgënjyer dhe i shqetësuar për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos zgjatur afatin e riregjistrimit të automjeteve me targa serbe, pavarësisht thirrjeve nga ShBA, BE-së dhe vendet e Qunit-it.
Hilli në një prononcim për “Blic” ka theksuar se ShBA-të vazhdimisht kanë kërkuar shtyrje të afatit.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë periudhën e zbatimit të riregjistrimit të automjeteve. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, ka thën` Hilli.
Ai ka thënë se mirëpret vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e Brukselit.
“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të marrin pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë ambasadori amerikan.