Ambasadori Hill: ShBA-ja dhe BE-ja veprojnë në bashkëpunim në lidhje me Kosovën

22 nëntor 2022 | 12:47

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Serbi, Christopher Hill, ka theksuar se Uashingtoni vazhdon ta mbështesë Bashkimin Evropian (BE) në përpjekjet për të arritur zgjidhje në kuadër të zhvillimeve në Kosovë.

Po ashtu, Hill i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që të vazhdojë angazhimin konstruktiv në procesin e dialogut në Bruksel.

“Një qasje konstruktive është sigurisht mënyra për të gjetur zgjidhje. ShBA-ja dhe BE-ja veprojnë në bashkëpunim në lidhje me Kosovën”, ka thënë ai,  duke shtuar se beson se të dyja palët e kuptojnë se duhet të arrijnë një zgjidhje.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme  në Bruksel është zhvilluar një takim tetë orësh në mes Kurtit dhe Vuçiq, me ndërmjetësim të shefit të politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, Joseph Borrell dhe përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim nuk është arritur një marrëveshje për targat, ndërsa Borrelli ka deklaruar se propozimin e BE-së e ka pranuar Vuçiqi, por jo Albin Kurti.

Ndërsa kryeministri Kurti deklaroi se Borrell hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Por disa orë më vonë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë vendimin për shqiptimin e gjobave për 48 orë të tjera, gjë që është pranuar nga kryeministri Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka…