Ambasadori Hill: SHBA-të besojnë se njohja reciproke është mënyra më e mirë për të ecur përpara
Christopher Hill, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Serbi tha të martën se Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën, si parakusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si shansin më të mirë për të dyja vendet që të zgjidhin mosmarrëveshjet”, tha zoti Hill duke dëshmuar para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Siç ka deklaruar Presidenti Biden, Shtetet e Basshkuara besojnë se respekti reciprok, njohja reciproke është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha zoti Hill.
Ai e paraqiti çështjen e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, si një nga përparësitë që do të ndjekë nëse konfirmohet për postin e ambasadorit të Serbisë.
“Nëse konfirmohem, unë do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet fuqishëm dhe urgjentisht për të gjetur një rrugë përpara me fqinjin e saj”, tha ai.
Ambasadori Hill tha gjithashtu se një nga përparësitë e tija kryesore do të jetë siguria e amerikanëve dhe personelit amerikan.
“Unë do të vazhdoj përpjekjet tona të gjata për të nxitur hetimin e plotë për vrasjen në vitin 1999 të vëllezërve Bytyqi, tre shtetasit amerikanë të ekzekutuar ndërsa ishin në paraburgim nga policia serbe. Unë jam i përkushtuar që t’i bëj presion qeverisë serbe që të sigurojë që personat e përfshirë të vendosen para drejtësisë”.
Ai tha gjithashtu se do të ndihmojë Serbinë që t’u rezistojë ndikimeve keqdashëse, përfshirë nga Rusia dhe Kina./VOA/