Ambasadori Hill tha se Kurti nuk ishte i përgatitur në Bruksel, Tahiri: Nuk është mirë për Kosovën
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, i ka parë si negative për Kosovën komentet e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill. Ky i fundit ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës ishte i papërgatitur në Bruksel.
Tahiri, me anë të një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, duke thënë se qeveria e ka për obligim t’i dalë zot çdo sfide me të cilën ballafaqohet Kosova.
“Ambasadori amerikan Christopher Hill deklaroi se kryeministri Kurti nuk ishte përgatitur mirë për bisedimet e Brukselit. Kjo nuk është mirë për Kosovën. Qeveria ka detyre t’i dalë zot vendit e përgatitur mirë për çdo sfidë!”, ka shkruar ajo.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Serbia kishte shkuar e përgatitur në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, ndërkaq, palët e tjetra, siç tha ai, nuk ishin të përgatitur “që të flasin për specifika”.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, ka thënë Hilli.