Ambasadori Hovenier për marrëveshjen Kosovë-Serbi mbi planin franko- gjerman: Njohja s’është e mundur tash
Gazetari i The Economist, Tim Judah, i cili ka raportuar edhe gjatë luftës së Kosovës, ka publikuar një artikull të gjatë lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, me titull “A do të përfundojë ndonjëherë lufta e Kosovës?”.
Judah ka intervistuar disa figura kyçe në mesin e politikanëve e aktivistëve, që kanë impakt në zhvillimet politike.
Në mesin e tyre, Judah ka intervistuar edhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier i cili është shprehur skeptik se në këtë kohë, pas tensioneve të fundit në veri, Serbia mund ta njohë Kosovën.
“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundëm ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen””, rrëfen Judah, duke parafrazuar dhe cituar ambasadorin Hovenier.
Hovenier ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë hap i përkohshëm drejt njohjes mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.
“Nëse e shihni këtë marrëveshje, këtë angazhim si një hap të përkohshëm drejt saj… ka mundësi reale”, ka thënë Hovenier.
Lidhur me temën, Judah e ka pyetur edhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ka vlerësuar së në 20 vitet e fundit tensionet ndërmjet dy shteteve nuk kanë qenë asnjëherë më të larta.