Ambasadori Hovenier: Puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery M. Hovenier në konferencën vjetore të Prokurorit të Shtetit, tha se puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës dhe roli i prokurorisë ka peshë e ndikim të konsiderueshëm për atë se kush jep llogari dhe kush përfiton kompensim sipas ligjit si në ShBA, po ashtu edhe në Kosovë.
“Pushteti, ndikimi dhe autoriteti që keni, gjithashtu sjellë edhe një përgjegjësi të madhe për të kërkuar drejtësi në bazë të ligjit dhe jo në bazë të interesave të ndonjë grupi, apo qeverive të caktuara”, tha ambasadori amerikan.
Ambasadori Hovenier ka vlerësuar të arriturat e sistemit prokurorial në Kosovë, dhe ka kërkuar që prokurorët të ruajnë pavarësinë e tyre.
“Puna e një prokurori nuk është e lehtë”, tha ambasadori.
Kurse shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog, tha se prokuroria është gurthemeli i një demokracie funksionale. Ai tha se pavarësia e prokurorisë është e panegociueshme.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në konferencën vjetore të prokurorit të shtetit ka njoftuar se ky institucion i drejtësisë ka pranuar 52 mijë e 93 raste, ndërsa janë përfunduar 41 mijë e 973.
Kelmendi ka thënë se gjatë kësaj kohe në nivelin e korrupsionit kanë përfunduar 920 raste.
“Viti i kaluar ishte një vit sfidash por konsideroj mjaft edhe efikas për institucionin e prokurorit të shtetit gjatë vitit 2023. Institucioni i Prokurorit të shtetit ka punuar ose ka pranuar në punë 52 mijë e 93 raste nga të cilat ka përfunduar 41 mijë e 973 raste. Bazuar në raportet kredibile ndërkombëtare, në vitin 2023 Kosova ka shënuar rezultate të konsiderueshme në fushën e sundimit të ligjit. Andaj këto suksese janë argumenti më i mirë se edhe zyrtarët që vazhdimisht që kritikojnë punën e Prokurorit të Shtetit, i pranojnë rezultatet dhe sukseset e punës tonë”, u shpreh Kelmendi.