
Ambasadori Hovenier viziton BIK-un, Tërnava e nderon me një dhuratë të veçantë
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga myftiu Naim ef. Tërnava.
Ky i fundit e ka falënderuar ambasadorin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën.
“Ai tha se shqiptarët në përgjithësi, por populli i Kosovës në veçanti, gjithnjë do të jenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë çfarë kanë bërë për Kosovën. Më pas Myftiu Tërnava falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e tij dhe të Ambasadës Amerikane me Bashkësinë Islame të Kosovës në projekte të ndryshme, duke shprehur kështu gatishmërinë e tij dhe të institucionit të BIK-ut që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka njoftuar BIK-u.
Kurse, ambasadori Hovenier, sipas njoftimit, ka falënderuar myftiun Tërnava për pritjen dhe për bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka vlerësuar rolin dhe kontributin që ka dhënë dhe po jep Bashkësia Islame e Kosovës në kultivimin e vlerave të harmonisë, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në vend.
Në fund të takimit, Myftiu Tërnava e ka nderuar ambasadorin amerikan me një dhuratë me motive nga trashëgimia e çmuar fetare e Kosovës.