Ambasadori hungarez kërkon përkrahjen e Kosovës
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, të enjten e ka vizituar Federatën e Hendbollit të Kosovës. Ambasadori Markusz është pritur nga presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
Vizita e ambasadorit Markusz kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit me FHK-në që edhe deri më tani ishte në nivel të lartë. Në takim u diskutua sidomos për kërkesën e hungarezëve për FHK-në për t’iu ndihmuar në Kongresin e Federatës Evropiane të Hendbollit që mbahet këtë muaj në Glasgow të Skocisë.
Hungaria dhe Sllovakia kanë shprehur interesim për ta organizuar kampionatin evropian të vitit 2024 dhe për ta fituar organizimin e këtij evropiani.
Hungarezët presin përkrahje edhe nga Kosova. Në takim është biseduar edhe për çështjen e vizave për sportistët e Kosovës. Si deri më tani, Hungaria ka premtuar përkrahje për FHK-në dhe hendbollistët e Kosovës.