Ambasadori i BE-së në Shqipëri: Koha që partitë politike të gjejnë kompromis
Në bisedë për Deutsche Welle (DW), ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, ka folur për fokusin e Javës Evropiane, procesin e reformës në drejtësi, krizën politike si edhe perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit BE-Shqipëri.
DW: Z. ambasador, nisët Javën e Evropës 2019 dhe slogani i saj është “Fuqia e Rinisë”. Pse kjo zgjedhje sivjet?
Luigi Soreca: Mendoj se nuk kishte zgjedhje tjetër të mundshme, në një vend ku 40 për qind e popullsisë është më e re se 30 vjeç. Të rinjtë janë të pranishëm, të rinjtë janë e ardhmja e vendit dhe ata janë gjithashtu qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Dhe ata po bëjnë thirrje që të kontribuojnë në hartimin e politikave, por gjithashtu për të pasur nevojat themelore, prandaj mendoj se është detyra jonë, para së gjithash e autoriteteve shqiptare, por gjithashtu edhe e BE-së që të mos e lejojmë këtë thirrje të bëhet një thirrje e humbur.
DW: Gjithsesi ka një numër në rritje të të rinjve që duan të largohen nga Shqipëria për disa arsye. Cilat janë mënyrat më të mira për të ndërhyrë dhe për ta parandaluar këtë dukuri?
Luigi Soreca: Ka masa që duhet të ndërmerren në periudhën afatgjatë, afatmesme dhe afatshkurtër. Natyrisht që nuk do t’i rendis të gjitha, por punësimi dhe arsimi është për të rinjtë nevoja më e rëndësishme në programin afatgjatë, por ata kanë nevojë për këtë tani, për këtë arsye ne duhet të vëmë në dispozicion të tyre infrastrukturën dhe fondet e nevojshme. Ne mund të ndihmojmë, por kjo është kryesisht një nevojë shqiptare. Pika tjetër është, dhe dua që me të vërtetë ta theksoj, të rinjtë kërkojnë të dëgjohen, duan të marrin pjesë, duan të përfshihen. Dhe kjo është e vetmja mënyrë që ata të jenë pjesë e sistemit shqiptar dhe për këtë arsye të mos largohen, sepse vetëm nëse kanë një punë, por edhe nëse dëgjohen nga institucionet publike ata ndjehen pjesë e asaj ku ata tashmë janë pjesë. Për ndonjë arsye nuk ka hapësirë për dialog mes tyre dhe sistemit shqiptar dhe Java e Evropës ka për objektiv krijimin e këtij dialogu. Tani është një dialog për shkëmbimin e ideve, por një nga rezultatet që ne dëshirojmë të kemi nga Java është krijimi i një dialogu të strukturuar dhe lejimi i të rinjve dhe fëmijëve që janë kaq të angazhuar, kaq të zgjuar, të marrin pjesë në hartimin e politikave, të shprehin idetë e tyre dhe pastaj të jenë pjesë e përhershme e Shqipërisë plotësisht dhe kjo me siguri do t’i ndihmojë ata të qëndrojnë aty ku e kanë vendin.
DW: Ju paraqitët një sondazh mbi perceptimin e qytetarëve shqiptarë lidhur me Bashkimin Evropian në Shqipëri. Cilat janë gjetjet që janë më të rëndësishme në pikëpamjen tuaj?
Luigi Soreca: Ne jemi shumë të kënaqur të shohim se populli shqiptar ende është shumë pranë Bashkimit Evropian. Pothuajse 93 për qind e qytetarëve shqiptarë, siç tregohet në sondazh, beson se anëtarësimi në BE është objektivi i tyre më i rëndësishëm. 79 për qind e tyre gjithashtu besojnë se reforma e drejtësisë është gjëja e duhur për të bërë. Dhe vetëm 13 për qind e qytetarëve shqiptarë besojnë se reforma e drejtësisë nuk po shkon në drejtimin e duhur. Dhe mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme, reforma e drejtësisë ka qenë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga Shqipëria. Duhet kohë, është një reformë gjigante, po ecën në mënyrë të qëndrueshme.
DW: Por ka një vakuum të madh në sistemin gjyqësor. Për shembull, një Gjykatë Kushtetuese që nuk funksionon. Si mund të mbështesë Bashkimi Evropian për të normalizuar situatën?
Luigi Soreca: Po diskutoja me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi javën e kaluar dhe ai më tha se e ka finalizuar listën e kandidatëve për t’ia dorëzuar Presidentit dhe pastaj Parlamentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Shpresojmë se në muajt e ardhshëm Gjykata Kushtetuese do të rifillojë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për ndikimin që kjo periudhë ka pasur në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe ata kanë të drejtë, por në fakt 79 për qind e tyre ende mbështesin reformën e drejtësisë dhe na tregojnë se sa e rëndësishme është ajo për qytetarët shqiptarë. Elementi përfundimtar që dua të shoh nga sondazhi është fakti se qytetarët shqiptarë duan që ne të kujdesemi më shumë për faktorët ekonomikë dhe socialë. Këto janë elemente që nuk janë medoemos në agjendën e diskutimit politik, por këto janë nevojat e përditshme të shqiptarëve dhe ata po i bëjnë thirrje politikës dhe rrjedhimisht edhe bashkësisë ndërkombëtare që të kujdesen edhe më shumë për anën ekonomike të jetës. Dhe ne jemi shumë të kënaqur që programi ynë, që do ta zbatojmë dhe që po e zbatojmë tashmë, përqendrohet aq shumë tek përfshirja sociale dhe zhvillimi ekonomik.
DW: Por, z. ambasador, ka një perceptim se reforma gjyqësore po ecën shumë ngadalë dhe askush nuk po shkon në burg. Kur do t’i ndjejnë qytetarët shqiptarë efektet e kësaj reforme?
Luigi Soreca: Dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vettingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës. Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme. Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë.
DW: Pavarësisht disa reformave të ndërmarra, procesi i hapjes së negociatave me BE-në ka një shtyrje për në muajin shtator. A ka ndikuar kriza politike në këtë shtyrje?
Luigi Soreca: Shqipëria duhet të besojë në atë që bëri gjatë vitit të kaluar. Komisioni Evropian do të nxjerrë një raport në fund të këtij muaji dhe më pas Këshilli – ju e dini dallimin mes Komisionit dhe Këshillit – do të marrë një vendim jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për afatin kohor. Dhe kjo varet tërësisht nga Presidenca Rumune e Këshillit. Kam dëgjuar ashtu si dhe ju, se ka disa shtete anëtare që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar raport-progresin e Komisionit Evropian duke pasur parasysh se ka vetëm tri javë kohë ndërmjet miratimit të raportit dhe vendimit të Këshillit. Por kjo ende nuk është vendosur, ndaj derisa të vendoset i ftoj autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të përqendrohen në këtë afat. Nëse ky afat do të shtyhet për më vonë këtë vit, shpresoj vërtet që qeveria shqiptare ta përdorë mirë këtë kohë. Dhe në muajt e ardhshëm SPAK-u do të funksionojë, Gjykata Kushtetuese do të rikthehet dhe ndoshta do të kemi edhe një zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR mbi ligjin zgjedhor.
DW: Z. ambasador, cili është mesazhi juaj për qytetarët shqiptarë dhe partitë politike shqiptare, në këtë situatë që po kalon Shqipëria?
Luigi Soreca: Sigurisht që kemi luajtur një rol në këtë vend dhe ne vazhdojmë të luajmë një rol të rëndësishëm. Siç thashë më parë, ne kemi një mandat të fortë nga qytetarët shqiptarë, 93 për qind prej të cilëve duan të hyjnë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe një përgjegjësi të fortë. Dhe tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat. Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara.