Ambasadori i Britanisë vizitoi Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim të FSK-së
Ambasador i Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës, Nicholas Abbott, ka vizituar Qendrën e Trajnimit për Kërkim Shpëtim në kazermën “Evropianët e Rijnë” në Pomozatin, me ç’rast u mirëprit nga shefi i Shtabit i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), nënkolonel Shpend Zogaj, i cili e njoftoi atë me të arriturat e përgjithshme të këtij regjimenti si dhe vizionin për të ardhmen.
Ambasadori Abbott, gjatë kësaj vizite ka takuar studentët pjesëmarrës të trajnimit “Menaxhimi i Rrezikut nga Trauma” (TRiM), si dhe ka vizituar objektet e QTKSH-së: kornizën e helikopterit; vagonët e trenit; ndërtesat e shembura dhe gjysmë të shembura; zonën e përplasjes masive të trafikut dhe kullën e lartë të ushtrimeve.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, gjatë vizitës së tij, nga shefi i qendrës së trajnimit u informua rreth planeve për ndërtimin e infrastrukturës së QTKSH-së, për ta bërë një qendër të kompletuar për trajnime të kërkim-shpëtimit, jo vetëm për pjesëtarët e FSK-së, por edhe të rajonit dhe më gjerë.
Abbott ka vlerësuar QTKSH-në, për gjithçka që ka arritur deri më tash dhe veçanërisht për vizionin e saj për të ardhmen.
Ai gjithashtu ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për FSK-në dhe QTKSH-në.
/Epoka e re/