Ambasadori i Gjermanisë dhe Francës: Asociacioni duhet të themelohet, qeveria ta bëjë një propozim
Qendra Mediale në Çagllavicë ka organizuar të premten diskutimin me temën: “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Pjesëmarrës në këtë organizim janë ambasadori i Francës, Olivier Guerot dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde.
Ambasadori Rohde ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet e saja duke bërë hapa që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“E kuptoj skepticizmin, por natyrisht ne jemi optimistë. Jam optimist sepse ka shumë presion politik. Alternativa tjetër është që rruga e mbyllur për BE për të dyja vendet. Të rinjtë po largohen dhe ne duhet të ndryshojmë këtë , e kjo bëhet nga vullneti politik për të ndryshuar”.
“Kosova duhet t’i përmbush obligimet duke bërë hapa që ta themelojë asociacionin. Serbia duhet të pajtohet që Kosova është një fqinj që ka perspektive evropiane”, ka thënë ai.
Edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të vijë me një propozim sa i përket themelimit të asociacionit.
“Fillimisht ne presim që diskutimet të vazhdojnë të ndodhin. Nga Kosova siç ceket në aneks, të fillojnë negociatat për asociacionin. Nuk duhet të kihet dyshim për këtë. Mendoj që nuk është mirë që tërë kohën të diskutojmë për këtë. Ne e inkurajomë qeverinë e Kosovës që ta bëjnë një propozim”, ka thënë ambasadori Guerot.