Ambasadori i Kosovës: Dje ishte ditë shumë e mirë
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka folur për samitin e djeshëm mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së në Këshillin Evropian.
Bajrami ditën e djeshme e ka quajtur “shumë të mirë” pasi që, sipas tij, Kosova ka ofruar të gjitha argumentet e nevojshme.
Me anë të një postimi në Twitter, të cilit ai ka bashkangjitur një fotografi me presidenten Osmani, Bajrami ka thënë se Kosova ka ofruar të gjitha argumentet e nevojshme dhe se tani Kosova e pushon çështjen e vet, kjo për shkakun se, siç tha Bajrami, tani duhet të pritet verdikti i BE-së.
“Të enjten me presidenten Osmani në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së në Këshillin Evropian. Ishte një ditë e gjatë, por plot ngjarje dhe në fund të fundit shumë e mirë. Kosova ka paraqitur të gjitha argumentet e nevojshme. Tani e pushojmë çështjen tonë. Presim verdiktin e BE-së për liberalizimin e vizave”, ka shkruar ai.