Ambasadori i Norvegjisë: Jo rastësisht Kosova është storie e suksesit në UEFA dhe FIFA
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka njoftuar ambasadorin norvegjez në Kosovë, Per Strand Sjaastad me zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke filluar nga ligat në të gjitha grupmoshat e deri te ekipet përfaqësuese, pastaj rreth projekteve në përmirësimin e infrastrukturës në partneritet me UEFA-n e FIFA-n por edhe institucionet shtetërore, si dhe rreth projekteve të ndryshme për zhvillimin e futbollit të të rinjve, femrave dhe të gjitha etniteteve që jetojnë në Kosovë.
Ndërkaq, ambasadori Per Strand Sjaastad u shpreh i lumtur për sukseset e Kosovës në futboll, si në Ligën e Kombeve ashtu edhe me rezultatet pozitive dhe paraqitjen e shkëlqyeshme në dy ndeshjet e para të këtij viti kundër Danimarkës dhe Bullgarisë.
“Gjithmonë në ndeshjet që i luan Kosova jam në mesin e fansave, sepse si ish-futbollist i grupmoshave të reja në Norvegji, e shijoj më shumë suksesin tuaj në mesin e tifozëve. Përkrahja ime për ju dhe institucionin që ju e drejtoni do të jetë e vazhdueshme, sepse po i jepni kënaqësi dhe krenari popullit tuaj dhe jo rastësisht jeni storie e suksesit jo vetëm në Kosovë, por edhe në UEFA e FIFA”, ka theksuar me këtë rast ambasadori Sjaastad.
Në fund të takimit kryetari i FFK-së, Agim Ademi ia ndau ambasadorit norvegjez si dhuratë një fanellë të Kombëtares së Kosovës si dhe një plaketë me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke e falënderuar njëherësh që çdo herë është i pranishëm në ndeshjet e Kosovës dhe po i jep përkrahje futbollit tonë.
/Epoka e re/