Ambasadori i Suedisë kërkon nga Kosova të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese

10 nëntor 2024 | 11:51

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kërkon nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur në vitin 2023.

Ai thekson nevojën që Qeveria e Kosovës të ecë përpara edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ekzekutivi kosovar duhet të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga Bashkimi Evropian.

Westerlund në një intervistë për KosovaPress, shpreh edhe mbështetjen për rrugën euro-integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Ai flet edhe për situatën në veri të Kosovës dhe hapjen e urës së Ibrit.

Diplomati suedez thotë se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht të detyrueshme për Kosovën dhe Serbinë, andaj obligimet duhet të zbatohen pa vonesa.

“Epo, linja zyrtare e BE-së për momentin është sigurisht që marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit janë ligjërisht të detyrueshme dhe ato duhet të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe AKS-ja duhet të zbatohet sa më shpejt. Dhe hapi tjetër është se Bashkimi Evropian po i rekomandon Qeverisë së Kosovës që draft statusin e AKS-së, t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese këtu në Kosovë. Pastaj përsëri, ne kemi komisionerë të rinj që vijnë, në Bruksel, ne kemi një ekip të ri në Bruksel, ata duhet të hedhin një vështrim në këtë situatë aktuale dhe të shohin nëse mund të vijnë me ide të reja për të gjetur një zgjidhje”, deklaron ai.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë…