Ambasadori i Turqisë: Do ta përkrahim Kosovën në avancimin e mekanizimeve të sigurisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka pritur sot në një takim njoftues ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar.
Me këtë rast të dy bashkëbiseduesit vunë në pah bashkëpunimin ekzistues mes dy shteteve në asketin e sigurisë.
Ministri Mustafa e falënderoi ambasadorin Sakar, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Republika e Turqisë në ngritjen e kapaciteteve për agjencitë e zbatimit të ligjit, sidomos sa i përket shkëmbimit të përvojave mes policive të dy vendeve.
Në këtë takim me theks të veçantë u bisedua për shkëmbimin e informatave mes dy policive për luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit etj.
Ndërsa ministri Mustafa ka kërkuar përkrahjen e Turqisë në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.
Ndërkaq ambasadori i Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ka ritheksuar se sikurse deri më tani, shteti i tij do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në të gjitha fushat, në veçanti në avancimin e mekanizimeve të sigurisë.
/Epoka e re/