Ambasadori italian thotë se do ta mbështetin qeverinë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve

05 nëntor 2021 | 16:53

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pritur të premten në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, me të cilin ka diskutuar rreth programit qeverisës, pakos së ringjalljes ekonomike dhe projektligjit për buxhetin e vitit 2022.

Ministri Murati e ka mirëpritur ambasadorin De Riu dhe ka paraqitur punën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke u fokusuar në masat e pakos së ringjalljes ekonomike, menaxhimin e mirëfilltë të financave publike dhe rritjen ekonomike që ka pasur vendi muajt e fundit.

Ambasadori De Riu ka theksuar se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në vend, e sidomos projektligjin për buxhetin 2022, i cili drejtpërdrejt synon arritjen e objektivave të parapara në programin qeverisës 2021-2024.

Ministri Murati gjatë takimit e ka njoftuar ambasadorin De Riu për gjendjen me situatën pandemike, duke theksuar se qeveria ka ndërmarrë një varg masash për kontrollin e pandemisë duke e bërë Kosovën vendin me popullsinë më të vaksinuar në regjion.

Ambasadori De Riu ka falënderuar ministrin Murati për pritjen dhe ka theksuar se do ta mbështetin qeverinë Kurti për arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës si dhe do ta vazhdojnë rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Komunën e Kllokotit janë certifikuar…