Ambasadori Kiçmari takon guvernatorin e Okinavës, theksohet bashkëpunimi me UP-në
Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ka vizituar Prefekturën e Okinavës dhe ka takuar Guvernatorin e Okinavës, Denny Tamaki.
Ambasadori Kiçmari e ka informuar Tamaki për procesin e rindërtimit të vendit pas luftës, krijimit të sistemit demokratik dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst ai e ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Japonisë, përfshirë prefekturën dhe popullin e Okinavës për mbështetjen e Kosovës.
Guvernatori Tamaki e ka njoftuar ambasadorin Kiçmari për historinë e Okinavës për rëndësinë gjeostrategjike të rajonit, që shprehet edhe me prezencën e madhe të trupave amerikane në bazën e tyre në Okinava.
Guvernatori Tamaki dhe ambasadori Kiçmari e kanë vlerësuar si shumë të dobishëm bashkëpunimin në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit Ryukyus, i cili do të materializohet me shkëmbimet e para të studentëve në vjeshtën e këtij viti.
Ata janë dakorduar për të hulumtuar edhe fusha të tjera të bashkëpunimit.