Ambasadori Kosnett dhe ministrja Rexhepi flasin për situatën aktuale në Kosovë

05 mars 2020 | 15:18

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilija Rexhepi, është takuar me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno dhe stafin politik, me të cilët ka biseduar lidhur me situatën aktuale në Kosovë, sigurinë, situatën e komuniteteve joshumicë, orientimet e Qeverisë së re dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në takim është theksuar bashkëpunimi i mirë si dhe vazhdimi i së njëjtës.

Rexhepi ka falënderuar ambasadorin Kosnett për vizitën dhe ka theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe ndihmës që Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë shoqërisë kosovare dhe të gjithë popujve të Kosovës në mënyrë të barabartë.

“Në mandatin tim, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të përpiqet të mbështesë qeveritë lokale sa më shumë që të jetë e mundur, të përmirësojë efikasitetin dhe efektivitetin e tyre, situatën në terren në secilën nga 38 komunat, me fokus në komunat multietnike, gjithnjë në të mirë të qytetarëve tanë”, ka thënë ministrja Rexhepi.

Në takim është diskutuar edhe për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, respektimin e përdorimit të gjuhëve në të gjitha komunat, ofrimin e llojeve të ndryshme të mbështetjes nga USAID, si dhe krijimin e hapësirës për investimet amerikane në Kosovë.

Ambasadori Kosnett ka shprehur gatishmërinë e Ambasadës së SHBA-ve për të mbështetur çdo iniciativë që kontribuon në një jetë më të mirë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bindshëm në vendin e parë në listën e tyre: Meshkujt…