Ambasadori Kosnett: Ekziston një lidhje e thellë ndërmjet Amerikës dhe Kosovës
Gjatë ceremonisë në përkujtim të 11 shtatorit që është mbajtur në Prishtinë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Philip Kosnett, ka thënë se ekziston një lidhje e thellë ndërmjet popullit të Amerikës dhe atij të Kosovës.
Sipas tij, ky partneritet i qëndrueshëm tejkalon çdo parti apo udhëheqës politik, njofton Klan Kosova.
Ky është fjalimi i plotë i Kosnettit në ceremoninë përkujtimore të 11 shtatorit:
Sot është ditë zymtë për amerikanët. Në vendin tonë dhe anembanë botës, sot i përkujtojmë dhe mbajmë zi për pothuajse 3000 të pafajshëm që humbën jetën atë ditë.
Sulmet e 11 shtatorit ndodhën në tokën amerikane, por ato sulme patën ndikim kumbues në tërë bashkësinë ndërkombëtare. Amerikanët nuk ishin viktimat e vetme: në sulme vdiqën qytetarë nga 77 vende të ndryshme. Ky njëmend ishte sulm mbi civilizimin.
E përkujtojmë vdekjen tragjike të viktimave; trimërinë dhe sakrificën e reaguesve të parë në Qendrën Botërore Tregtare dhe në Pentagon; si dhe guximin dhe shpirtin e udhëtarëve të Fluturimit 93 – qytetarë të rëndomtë amerikanë, përpjekja e suksesshme e të cilëve për ta rimarrë aeroplanin nga terroristët parandaloi edhe një humbje tjetër të madhe.
Amerikanët gjithmonë do ta përkujtojnë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e morën nga e tërë bota. Reagimi i miqve tanë në Kosovë ishte i menjëhershëm dhe i sinqertë.
Pas sulmeve, anembanë Kosovës, njerëzit u mblodhën për të marshuar në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, për të ndezur qirinj dhe për të dhuruar gjak. Disa kosovarë madje dolën vullnetarë për t’ju bashkuar ushtrisë amerikane për të luftuar në luftën globale kundër terrorizmit.
Kjo shprehje spontane e përzemërt e mbështetjes vërteton lidhjen e thellë që ekziston ndërmjet popullit të Amerikës dhe atij të Kosovës. Ky partneritet i qëndrueshëm tejkalon çdo parti apo udhëheqës politik.
Kosova vazhdon edhe sot e kësaj dite të organizojë ngjarje përkujtimore e homazhe. Çdo vit në Prishtinë, policia, zjarrfikësit dhe reaguesit e tjerë të parë mblidhen rreth flamurit amerikan të ulur në gjysmështizë. Një organizatë vendore e shoqërisë civile ka filluar një festival të përvitshëm filmi kushtuar viktimave të 11 shtatorit duke “kremtuar jetën dhe duke luftuar shkatërrimin me krijimtari”. Më pëlqen kjo ndjenjë.
Çdo vit më 11 shtator, përderisa mbajmë zi për të vdekurit dhe e kujtojmë të kaluarën, le të përkushtohemi sërish për të synuar të ardhme më të mirë. Ta “luftojmë shkatërrimin me krijimtari” duke punuar së bashku, këtu në Kosovë, në Amerikë dhe anembanë globit për të ndërtuar një botë të përkushtuar për paqe, prosperitet dhe drejtësi për të gjithë.