Ambasadori Kosnett kërkon nga policët e Kosovës ta luftojnë korrupsionin
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett, ka deklaruar se korrupsioni është problem në institucionet e Kosovës, por ai shpreson se policët do ta luftojnë këtë dukuri negative.
Kosnett në ceremoninë e diplomimit të shkollës së Stafit dhe Komandës së Policisë(SPSC), ka thënë se të diplomuarit tashmë janë të gatshëm për përgjegjësi më të mëdha.
Para dhjetëra të diplomuarve, oficerë dhe zyrtarë të lartë të agjencive publike të Kosovës, cilët janë shkolluar për të marrë përgjegjësi, duke udhëheq pozita të larta në institucionet e sigurisë, ambasadori amerikan ka thënë se të njëjtit duhet të japin shembullin e ndershmërisë, dhe duke luftuar korrupsionin.
Ambasadori Kosnett ka pranuar se lufta kundër korrupsioni është mjaft e vështirë dhe e rrezikshme, por sipas tij mund të arrihet.
Ndërsa, Gary Bulard, i cili ka trajnuar disa gjenerata nga kjo shkollë, këtë diplomim e ka konsideruar shumë të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të lidershipit të Kosovës.
Në këtë ceremoni diplomimi, përveç zyrtarëve amerikan, kanë marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe zyrtarë të tjerë nga organet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.