Kosnetti kërkon që Kosova t’i largojë pengesat dhe të vazhdohet dialogu me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ambasadori i ShBA-së, Philip S. Kosnett, kanë zhvilluar një takim të përbashkët, në të cilin kanë biseduar për tema të ndryshme të interesit të përbashkët.
Presidenti Thaçi ka theksuar se miqësia me ShBA-në është e përhershme dhe thelbësore për realizimin e qëllimeve tona strategjike për integrim në strukturat euroatlantike.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi dhe ambasadori Kosnett u pajtuan që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore.
“Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar presidenti Thaçi.