Ambasadori Kosnett: Kosova arrin sukses kur udhëheqin gratë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova do të arrin sukses kur do ta udhëheqin gratë.
Këto komente, ambasadori Kosnett i ka bërë në ceremoninë e përmbylljes së projektit të Shoqatës së Alumnive Kosovë-ShBA (KUSA) me titull: “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta”.
“Kosova arrin sukses kur gratë udhëheqin dhe tregojnë suksese. Gratë kanë pozita në polici, arsim, gazetari dhe në Kuvend. Gratë po punojnë në fushat që dominojnë meshkujt, siç është teknologjia. Një shembull i udhëheqjes së fuqishme, është këtu në sallë, e cila ka zhvilluar një fushatë të suksesshme në skenën botërore, tani është përkrahëse e fortë e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, është privilegj të punosh me të. Kur i kam parë sfidat që është përballur gruaja dhe vajza ime më kanë bërë që të kuptojë që sa është e rëndësishme të punojmë të gjithë për fuqizimin e grave kudo në botë”, ka thënë Kosnetti.
Ndërsa ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se mungesa e edukimit dhe diskriminimi në baza gjinore e dekurajon gruan që të synojë pozita udhëheqëse në politikë.
“Projekti është i rëndësishëm në rrethanat aktuale të Kosovës ku ende ekziston një mungesë e mundësive të barabarta për gratë, pengon gjysmën e popullsisë që të marrë rol në shumë fusha. Pres që ky projekt t’i kontribuojë fuqizimit të rolit të gruas në Kosovës. Mungesa e edukimit dhe diskriminimi në baza gjinore e dekurajon gruan që të synojë pozita udhëheqëse në politikë. Ka ende raste që gratë pyetën për statusin familjar. Në punë gratë diskriminohen për shkak të dukjes, profesionalizmit, gjinia determinon edhe pagën”, ka thënë Jahjaga.
/Epoka e re/