Kosnetti: Liderët e Kosovës duhet t’i ndihmojnë viktimat, e jo t’i shfrytëzojnë për përfitime politike
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Philip Kosnett, ka komentuar zhvillimet e fundit pas publikimit të fotografisë nga anë e deputetes së PDK-së, Flora Brovina.
Ai ka thënë se liderët e Kosovës duhet që t’i ndihmojnë viktimat e mbijetuara, dhe nuk duhet t’i shfrytëzojnë ata për përfitime politike.
“Të mbijetuarit e mizorisë, duhet të trajtohen me respekt, dinjitet dhe ndjeshmëri. Liderët e Kosovës duhet t’i ndihmojnë viktimat, dhe të mos i shfrytëzojnë ato për përfitime politike”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e vet në “Twitter”.
Flora Brovina sot është paraqitur në Prokurori, dhe është intervistuar në cilësinë e dëshmitares, pas publikimit të fotografisë që ka bërë dje në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka thënë se nuk i besohet që një fotografi e tillë mund të jetë e falsifikuar, duke treguar se e posedon që nga viti 2003.