Ambasadori Kosnett përplas derën dhe ikën nervoz nga takimi me liderët
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka lëshuar takimin me liderët institucionalë, i cili është mbajtur mëngjesin e sotëm, i nervozuar nga refuzimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për pezullimin e taksës dhe rifillimin e dialogut.
Burime të RTK-së thonë se ambasadori Kosnett është ngritur demonstrativisht dhe ka përplasur derën, teksa është larguar nga takimi që kishte për qëllim diskutimin për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Kjo është edhe arsyeja pse liderët kosovarë sot mbeten më gjatë në takim, e nuk dolën përnjëherë me ambasadorin e SHBA-së.
Në këtë takim me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, siç mësohet, ambasadori Kosnett ka bërë të qartë se ekzistojnë vetëm dy rrugë. E para, pezullimi i taksës, që nënkupton qëndrimin e ShBA-së përkrah Kosovës deri në fund. E dyta, vendosja e menjëhershme e sanksioneve të ShBA-së për Kosovën, që nënkupton dëmtimin serioz të raporteve mes dy vendeve. Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor, ka vendosur taksë 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Që nga ajo ditë, Kosova është duke u përballuar me presionin e ShBA-së dhe BE-së për pezullimin e taksës dhe shfrytëzimin e mundësisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. /rtk/