Ambasadori Kosnett sqaron deklaratën e tij për Ministrinë e Drejtësisë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, ka bërë një sqarim lidhur me deklaratë të bërë nga ai një ditë më parë, ku kritikoi Ministrinë e Drejtësisë, për lirimin e një personi nga burgu, i cili ishte dënuar për krime lufte, për rastin Kukësi.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, ambasadori Konsnett ka treguar se në postimin e djeshëm, ai ka shkruar se Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar lirimin e të burgosurit dhe ka sqaruar se këtë vendim e ka marrë Gjykata e Apelit dhe ka udhëzuar Ministrinë e Drejtësisë që ta lirojë të burgosurin për krime lufte.
”Sqarim: Gjykata e Apelit udhëzoi Ministrinë e Drejtësisë që të lirojë një person të dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte për rastin Kukësi; ai ka mbajtur burgim më pas se 12 muaj në 3 vjetët e fundit. Abuzimi i vazhdueshëm nga kriminelët i sistemit për pushime mjekësore dhe dënimeve të pezulluara duhet të ndalen”, ka shkruar ambasadori Kosnett.
“Versioni origjinal i këtij postimi thoshte se Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar lirimin (e të dënuarit). Ligji i amendamentuar për ekzekutimin e dënimeve penale ua lë në dorë vendimin gjykatësve. E vlerësoj mundësinë për të përmirësuar atë që kemi shkruar”, thuhet në reagimin e ambasadorit Kosnett.
Të premten, Kosnett kishte kritikuar Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me lirimin e një të dënuari për krime lufte.
Më pas, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, i ishte përgjigjur kritikave të ambasadorit amerikan, duke thënë se ministria që ai drejton “nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit” asnjë person.