Ambasadori Kosnett vizitoi Universitetin ‘Kadri Zeka’

20 qershor 2019 | 17:23

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (ShBA) në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka parë nga afër ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike nga avokatë pa pagesë të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe studentëve të Klinikës juridike penale me raste reale gjatë aktivitetit “Orët për ndihmë juridike pa pagesë” në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Ambasadori Kosnett dhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, janë pritur nga dekani i Fakultetit Juridik, Sadik Haxhiu dhe profesori Fejzullah Hasani, me ç’rast ka përgëzuar rezultatet e klinikës juridike, veçanërisht studentët për përgatitje profesionale, duke thënë se ky është një shembull i mirë i të rinjve kosovar të cilët në të ardhmen do t’i kontribuojnë në avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Sadik Haxhiu dhe profesori Fejzullah Hasani kanë falënderuar ambasadorin Kosnett për vizitën, duke thënë se mbështetja e USAID-it në Kosovë është shumë e mirëseardhur për këtë universitet dhe për studentët, sepse sipas tyre ata kanë pasur mundësi që përmes trajnimeve, ligjëratave dhe angazhimit me avokatë, të rrisin mundësinë për formimin e të menduarit kritik dhe aftësive të tyre praktike.

Dekani Haxhiu në emër të rektorit të këtij universiteti, Bajram Kosumi, i ka dhuruar ambasadorit Kosnett një mirënjohje për kontributin e dhënë në avancimin e studimeve juridike në Fakultetin Juridik, kurse nga ana e tij ambasadori Kosnett i ka dhuruar Universitetit “Kadri Zeka” një dhuratë simbolike, një orë me mbishkrimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Për të rritur vetëdijesimin mbi aktivitetin, studentët janë mobilizuar nëpër pjesë të ndryshme të komunës së Gjilanit më 13 qershor 2019, për t’i informuar qytetarët rreth orëve për ndihmë juridike pa pagesë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova përfaqësohet me 12 sportistë në lojërat e dyta Evropiane…