Ambasadori Lu: Politikanët kanë frikë, dikur ishin të paprekshëm
Dy shkaqet që kanë vonuar ngritjen e institucioneve si Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë zgjidhur tashmë, ka thënë ambasadori i Amerikës në Tiranë, Donald Lu.
Në një deklaratë për “Top Channel” ambasadori amerikan është përgjigjur në pyetjet se çfarë është duke e vonuar ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Vonesat kanë ardhur për dy arsye. E para, ishte kundërshtimi i ligjit të Vettingut nga opozita. Ata e humbën këtë sfidë. E dyta, ishte vonesa në gjetjen e kandidatëve të kualifikuar jashtë sistemit të drejtësisë për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së. Tashmë, të dyja këto çështje janë zgjidhur. Kandidatët për këto institucione janë duke kaluar në procesin e Vettingut. Ata do të jenë funksionalë shumë shpejt”, ka thënë ambasadori Lu.
Ai ka thënë se nuk është për t’u habitur se politikanët shqiptarë shprehin dyshime për këtë institucione.
“Nuk është për t’u habitur që politikanët vazhdojnë të kritikojnë dhe të mbjellin dyshime për këto struktura. Ata ishin dikur të paprekshëm. Tani ata kanë frikë”, ka thënë Lu.
Ambasadori amerikan e ka deklaruar reformën në drejtësi si pikë kryesore të misionit diplomatik që në ditën e tij të parë në Shqipëri.